Friday, September 10, 2010 13:51

Specialisti i xhenios: Dua dëmshpërblim për Gërdecin

Ish-specialisti i xhenios në ushtri, Viktor Nikolli prej 1 viti e tre muajsh, është i detyruar të qëndrojë në karrigen me rrota, si pasojë e dëmtimeve që ka marrë gjatë shpërthimit, të15 marsit 2008. Bashkëshortët Dile e Viktor Nikolli kërkojnë dëmshpërblimin për dëmet pasurore dhe jopasurore që i janë shkaktuar në vlerën 10.000.000 lekë”.

TIRANE-Viktor Nikolli, 51 vjeç, një prej punëtorëve të fabrikës së çmontimit të municioneve në Gërdec, i cili ka mbetur i plagosur rëndë nga shpërthimi i saj, mesditën e 15 marsit 2008 kërkon dëmshpërblimin për dëmet pasurore dhe jopasurore që i janë shkaktuar.

Ish-specialisti i xhenios në ushtri, Viktor Nikolli prej 1 viti e tre muajsh, është i detyruar të qëndrojë në karrigen me rrota, si pasojë e dëmtimeve që ka marrë gjatë shpërthimit, të15 marsit 2008.

Pas përmirësimit disi të gjendjes së 51-vjeçarit, çifti Dile e Viktor Nikolli ka vendosur të kërkojë dëmshpërblimin për dëmet pasurore dhe jopasurore, në shumën e dhjetë milionë lekëve të reja. Dy ditë më parë, bashkëshortët Nikolli kanë paditur Ministrinë e Mbrojtjes, ndërmarrjen shtetërore MEICO dhe kompaninë amerikane të demontimit të municioneve ‘SAC’ (‘Southern Ammunition Company INC’), duke i cilësuar si përgjegjëse për dëmet e shkaktuara.

Dy ditë pas tragjedisë, Nikolli, që ishte një prej shtatë specialistëve të fabrikës, u dërgua për kurim në Janinë, pasi ishte në gjendje tejet të rëndë, për shkak të dëmtimeve të mëdha që kishte pësuar. Mjekët arritën ta mbanin në jetë, por për fat të keq ai mbeti i paralizuar. Nga shpërthimi, Viktor Nikollit iu shkatërrua dhe shtëpia.
Bashkëshortët Dile e Viktor Nikolli i janë drejtuar Gjykatës së Tiranës me një kërkesë- padi, objekti i së cilës është “shpërblimi dhe kompensimi i dëmeve pasurore dhe jopasurore të shkaktuara paditësve Nikolli, si pasojë e dëmtimit të shëndetit të paditësit Viktor Ndue Nikolli nga ngjarja e shpërthimit të fabrikës së demontimit të municioneve në fshatin Gërdec, më datë 15.03.2008, në shumën 10.000.000 lekë”.
Në tragjedinë e Gërdecit humbën jetën 26 persona. Si përgjegjës për krimin e rëndë, Prokuroria ka cilësuar 29 persona, mes tyre ish-ministrin e Mbrojtjes, Fatmir Mediu, ish-kreun e MEICO-s, Ylli Pinari, biznesmenin Mihal Delijorgji, si dhe disa ish-ushtarakë të lartë.

(s.g/BalkanWeb)

1 Comment

  1. 26 September, 2009, 7:18

    ehe

Shkruaj nje koment per kete artikull