TIRANË- Kreu i PS-së, Edi Rama i ka quajtur të pabesueshme Exit Poll-et dhe ka kërkuar ndjekjen me qetësi dhe transparencë të fazës më të rëndësishme të procesit, atë të transportit të kutive dhe numërimit të votave. Pas publikimit të sondazheve që nxjerrin fitues Partinë Demokratike, Rama ka deklaruar prerë se procesi duhet të bëhet deri në fund transparentë para popullit. “Atë që vetë ky popull ka vendosur sot dhe është ndryshe. Nuk mund të ketë Exit Poll të besueshëm në një vend që deri ditën e fundit opozita duhet të inkurajonte qytetarët që të mos i dorëzoheshin presioneve”- tha Rama, nga selia e PS-së.
Ai ka shtuar se PS-ja e ka pasur dhe e ka bërë sondazhin e saj. “Sondazhi ynë flet qartë për një avantazh të konsoliduar gjatë gjithë muajve, të PS dhe Bashkimit për Ndryshim. Të dhënat tona sot flasin qartë se avantazhi gjendet brenda kutive”- tha ai, duke i quajtur sondazhet eksperiment të gabuar, në kohën dhe në vendin e gabuar.
Ndërhyrjen përmes kësaj konference shtyp Rama e ka quajtur domosdoshmëri, pasi sipas tij, ky është një moment historik, një moment kur populli shqiptar kërkon të lexojë qetësisht vendimin që ka marrë sot në kutitë e fshehta dhe nuk ka vend për farsa të kësaj natyre dhe për tejzgjatje mbi spekulime dhe hamendësime që nuk kanë të bëjnë me realitetin e sondazheve dhe as me realitetin e ditës së sotme të votimit.
Burimi: Shekulli.com.al