Friday, September 3, 2010 13:48

Nis numërimi i votave. Ristani: Procesi, pamje direkt në KQZ

TIRANË- Pas procesit të transportit të kutive nga qendrat e votimit në ato të numërimit të votave, ka nisur procesi i numërimit në disa qendra në vend. Tre zonat e para që kanë nisur procesin e numërimit të votave janë Kukësit dhe Delvina. Lajmi është dhënë nga ECA dhe KRIK, e cila në një dalje të posaçme për mediat ka njoftuar se do të pasqyrojë hap pas hapi këtë proces shumë të rëndësishëm.

Ndërkohë, kryetari i KQZ-së, Arben Ristani, informoi në orët e para të mëngjesit të sotëm nisjen e procesit të numërimit të votave në KZAZ-të në mbarë vendin.
Ai publikoi rezultatin e parë të ardhur nga një KZAZ e Kukësit dhe njoftoi mbërritjen e proceverbalit të parë në mënyrë elektronike.
Meqë është e para tabelë e rezultateve, pas numurimit të një kutie votimi, Ristani publikoi të dhënat e saj. “Numri i zgjedhësve që kanë votuar është 851, fletë votimi të papërdorura 439, fletë votimi të dëmtuara 14, fletë të gjetura në kuti 851, vota të pavlefshme 22, vota të vlefshme 829. Nga këto 577 vota janë fituar nga Aleanca e Ndryshimit, nga Poli i Lirisë 2 vota, nga LSI 14 vota, Bashkimi për ndryshim 235″, lexoi kryetari i KQZ-së rezultatet e një kutie votimi në një KZAZ të Kukësit.
Në sajë të teknologjisë së përdorur në këto zgjedhje procesi i numërimit të votave në VNV shihet direkt në selinë e KQZ-së në sajë të kamerave të instaluara aty. Pamjet në ekranet e vendosur ndryshohen në çdo 30 sekonda, ku paraqiten momente nga numërimi i votave në të gjitha VNV-të në vend.

Garantojmë transparencë
Kryetari i KQZ-së, Arben Ristani deklaroi se “procesi i numërimit të votave do të funksionojë pa probleme”. “Mbajtja nën kontroll e vendeve të numërimit të votave (VNV) dhe informacioni i marrë online prej tyre do të garantojnë një proces shumë transparent”, siguroi kryetari i KQZ-së.
Sipas tij, vendosja e ekraneve në selinë e KQZ-së në lidhje të drejtpërdrejtë me të gjitha VNV-të në vend siguron vëzhgimin e të gjithë procesit, duke filluar me marrjen në dorëzim të kutive të votimit dhe më pas të numërimit të tyre.
Duke informuar për votimet e zhvilluara sot z. Ristani tha se në 5 QV nuk është hapur procesi i votimit, ndërsa në 3 QV të tjera ai është ndërprerë. “3 QV-të e dyta do të jenë në proces vlerësimi nëse do të llogariten apo jo, ndërsa për 5 QV-të e para është e sigurt se ato nuk do të prodhojnë rezultat dhe kjo shpjegohet në ligj”, tha kreu i KQZ-së
Ndërkohë, policia e Shtetit me mbylljen e procesit të votimit ka kaluar në një fazë tjetër të rëndësishme të detyrave të saj zgjedhore, që është shoqërimi i kutive me fletët e votimit nga qendrat e votimit për në vendet e numërimit të votave, bënë të ditur burime të kësaj Policie.

Burimi: shekulli.com.al

Fjale kyce:

Shkruaj nje koment per kete artikull