Friday, September 10, 2010 12:45

KQZ fillon trajnimin e komisionerëve zonalë

Komisionerët, pas certifikimit nga KQZ-ja, do të marrin rolin e trajnuesit. Kryetari Ristani u bëri thirrje përfaqësuesve të partive politike në këto komisione, “që të mos neglizhojnë trajnimin”.

TIRANE- KQZ-ja nisi dje, trajnimin në rang vendi të komisionerëve zonalë. Kryetari i institucionit zgjedhor, Arben Ristani ka inspektuar këtë proces në komisionin zonal në shkollën e mesme “Partizani”, në Tiranë e më pas edhe në Shkodër.

Komisionerët, pas certifikimit nga KQZ-ja, do të marrin rolin e trajnuesit. Në këtë mënyrë reduktohet dhe stafi i pakualifikuar i KQZ-së, që sipas nënkryetares, Dëshira Subashi përbën rreth 50% të këtij institucioni. Kryetari Ristani u bëri thirrje përfaqësuesve të partive politike në këto komisione, “që të mos neglizhojnë trajnimin si dhe të ruajnë frymën e konsensusit gjatë përgatitjes së procesit zgjedhor”.

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka ngritur gjithsej 66 KZAZ në të gjithë vendin. Përgatitja sipas standardeve demokratike e procesit të zgjedhjeve si dhe përgatitja profesionale e komisionerëve që do të administrojnë procesin zgjedhor, kanë qenë në fokusin e seminareve trajnues të organizuar dje edhe në Kukës, Vlorë, Shkodër, Durrës, etj.
(s.g/BalkanWeb)

Shkruaj nje koment per kete artikull