Friday, September 10, 2010 12:44

Epidemia e gripit, këtë javë 11 mijë të sëmurë

Sipas të dhënave të publikuara nga Instituti i Shëndetit Publik, javën e fundit është vënë re një shtim i ndjeshëm i numrit të personave të prekur nga infeksionet e rrugëve të frymëmarrjes.

TIRANE- Vendi ynë nuk ndodhet ende në një situatë gripale, por shifrat e të prekurve nga sëmundjet respiratore janë në rritje. Sipas të dhënave të publikuara nga Instituti i Shëndetit Publik, i cili mbledh informacion për situatën nga të gjitha rrethet e vendit, javën e fundit është vënë re një shtim i ndjeshëm i numrit të personave të prekur nga infeksionet e rrugëve të frymëmarrjes, duke e çuar shifrën në plot 11 mijë. Por, për specialistët e ISHP-së, piku akoma nuk ka mbërritur. Sipas tyre, më shumë qytetarë do të preken gjatë këtij muaji, duke vazhduar me ritme të larta deri në fund të marsit, ku kurba e të infektuarve nga gripi do të jetë në kulmin e sezonit. Viroza e stinës ka nisur me ritme më të shpejta që në fillim të janarit, ku shënonte nga 4-5 mijë shqiptarë të prekur çdo javë, shifër kjo që ka ardhur duke u rritur vazhdimisht. Me fillimin e vitit 2009, kjo virozë ka prekur në masë qytetarë nga i gjithë vendit. Numri ka ardhur duke u rritur nga java në javë. Kështu, nga 4 mijë të prekur në javë, Instituti i Shëndetit Publik ka regjistruar shtim të rasteve deri në 7, në 9 mijë dhe javën e shkuar, është arritur shifra rekord e këtij viti, me plot 11 mijë persona të prekur për një periudhë të shkurtër kohore. Shtama e virozës është ekzaminuar nga laboratorët e Institutit të Shëndetit Publik, të cilët shprehen se ajo ka rezultuar të jetë shumë e ngjashme më atë të një viti më parë. Ndërkohë që numri më i madh i të prekurve regjistrohet në moshat e vogla si dhe në personat e moshës së tretë. Specialistët në çdo rast kanë dhënë këshillat e rastit se si duhet të mbrohemi nga kjo virozë respiratore që po qarkullon aktualisht në vendin tonë, si dhe këshillojnë që të mos neglizhohen në asnjë rast shenjat e gripit, pasi ai mund të shoqërohet edhe me komplikacione të rënda.
(s.g/GSH/BalkanWeb)

Shkruaj nje koment per kete artikull