Friday, September 3, 2010 13:42

Berisha: Sot hapet kapitull i ri për Shqipërinë

Përmes një konference për mediat në Strasburg, Kryeministri Berisha deklaroi se me anëtarësimin në aleancën e Atlantikut të Veriut, hapet një kapitull i ri për të ardhmen e Shqipërisë. Berisha theksoi se anëtarësimi në NATO, është përgjegjësi e madhe për konsolidimin e vlerave të demokracisë, ndërkohë që deklaroi mbështetjen e Shqipërisë në luftën kundër terrorizmit. Në një intervistë ekskluzive për “News24”, presidenti Bamir Topi theksoi se sot është dita për tu ndjerë krenarë duke deklaruar se anëtarësimi në NATO e ka futur Shqipërinë në rrugën e detyrimeve dhe seriozitetit më të thellë.
STRASBURG-

Berisha në konferencë shtypi: Hyrja në NATO, përgjegjësi

Ora:18:31- Përmes një konference për mediat në Strasburg, Kryeministri Berisha deklaroi se me anëtarësimin në aleancën e Atlantikut të Veriut, hapet një kapitull i ri për të ardhmen e Shqipërisë.
Kreu i ekzekutivit e konsideroi anëtarësimin si mbylljen e një kapitulli shekullor për vendin dhe hapjen e një epoke të re, në të cilën shqiptarët do të ndërtojnë të ardhmen e tyre.
Berisha theksoi se anëtarësimi në NATO, është përgjegjësi e madhe për konsolidimin e vlerave të demokracisë, ndërkohë që deklaroi mbështetjen e Shqipërisë në luftën kundër terrorizmit.

“Shqipëria do të dërgojë kompani shtesë, me 130 ushtarë dhe oficerë në Afganistan, me një ekip infermish dhe mjekë, do të marrë pjesë në ndërtimin civil, duke ndërtuar 2 shkolla të mesme dhe 6 shkolla fillore. Ne nuk heztiojmë të marrim pjesë në cdo mision që aleanca do ta gjykojë se duhet të marrim pjesë” theksoi kryeministri përpara gazetarëve nga e gjithë bota.

Berisha premtoi se qeveria do të bëjë përpjekje maksimale për të garantuar zgjedhje të lira e të ndershme. “Zotimi ynë është i qartë, për të bërë të gjitha përpjekjet për zgjedhje të lira e të ndershme. Ky është zotimi që unë kam bërë në këtë samit për të ftuar vëzhgues nga vendet anëtare të NATO-s në zgjedhjet e 28 qershorit” u shpreh kreu i qeverisë.
I pyetur nëse në takimin e tij me kryeministrin spanjoll Zapatero u diskutua cështja e Kosovës, Berisha u përgjigj se “Kosova ishte temë që u diskutua gjerësisht dhe ne do ta diskutojmë në mënyre miqësore dhe të hapur, me këtë vend mik dhe këtë qeveri mike”.

Leskaj për “News24”: Shqipëria mund të konsiderohet kontributore e sigurisë

Ora: 18:15- Në një intervistë për televizionin “News24” anëtarja e delegacionit shqiptar në Strasburg ,Valentina Leskaj ka theksuar faktin se kjo është hera e parë që një president i SHBA-ve merr pjesë në një mbledhje të Aleancës. Ndërkohë ajo konsideroi si të rëndësishëm rritjen e rolit të Francës në NATO.

“Kemi një situatë të re pas zgjedhjes së Obamës, për herë të parë, presidenti i SHBa-ve merr pjesë në një mbledhje të Alenacës, kjo ka sjellë një përqasje të re që peshon nga zgjidhje të përbashkëta” theksoi Leskaj.

Kryetarja e grupit parlamentar të PS, deklaroi se Shqipëria mund të konsiderohet kontributore e sigurisë, por prova e parë e kësaj , janë zgjedhjet.
“I bëj thirrje qeverisë shqiptare të zgjidhë cështjen e infrastrukturës së zgjedhjeve dhe kartat e identitetit” tha Leskaj për “News24”.

Shqipëria në NATO, Topi për “News24”: Vendi futet në rrugën e detyrimeve

Ora:18:00-Në një intervistë ekskluzive për televizionin “News24”, drejtpërdrejt nga Strasburgu, presidenti Bamir Topi ka përshëndetur popullin shqiptar, duke theksuar se sot është dita për tu ndjerë krenarë, që ishim të barabartë me vendet anëtare të NATO-s dhe mendimi ynë ka qënë ekuivalent me 27 vendet e tjera të Aleancës më të Madhe të Atlantikut Verior.

Presidenti ka rideklaruar se anëtarësimi në NATO e ka futur Shqipërinë në rrugën e detyrimeve dhe seriozitetit më të thellë , për sa i përket jetës politike.

Topi shprehu edhe një herë faktin se zgjedhjet e ardhshme në Shqipëri janë shumë të rëndësishme, duke theksuar se forcat politike kanë predispozicionin për të zvilluar zgjedhje të lira e të ndershme.
“Zgjedhjet janë shumë të rëndësishme. Nëse ne jemi në këtë situatë, që jemi në rrugën e aderimit në Bashkimin Evropian , ajo që kërkohet janë zgjedhje të ndershme të lira, për të forcuar institucionet. Klasa politike është e ndërgjegjshme, po bëhen të gjitha përpjekjet, njerëzit duhet të marrin pjesë në votime, duhet të pajisen me karta” deklaroi Presidenti Topi për “News24”.

I pyetur për takimin me presidentin amerikan Obama, Topi shpjegoi se ka marrë përgëzimet e presidentit amerikan, i cili ka shprehur edhe njëherë kënaqësinë për futjen e Shqipërisë në NATO dhe ka inkurajuar vazhdimin e reformave në Shqipëri.
“Përgëzime për mbulimin mediatik që i keni bërë kësaj ngjarjeje historike” përfundoi Topi, drejtpërdrejt nga Strasburgu për televizionin “News24”.

Obama: SHBA nuk bën dot pa Europën, as Europa pa SHBA

Ora 17:00 Përmes një konference për gazetarët, presidenti Barak Obama deklaroi se Aleanca ka nevojë për reformim dhe sfida të reja qëndrojnë përpara. “ Amerika nuk mund të përballojë sfidat e saj e vetme, ashtu edhe Bashkimi Europian” theksoi presidenti Obama.

Obama u shpreh i kënaqur që aleatët e NATO-s pohuan angazhimin maksimal ndaj përpjekjes së drejtuar nga SHBA për të forcuar kapacitetet në Afganistan, duke theksuar se liderët botërorë do të largohen nga Strasburgu dhe Kehli me premtime të qarta.
“Një mision i ri trajnues do të nisë punën në Afganistan, në mënyrë që ushtria afgane të ketë kapacitet për të vepruar dhe siguruar vendin” u shpreh Obama.

Presidenti amerikan Barak Obama ka mirëpritur anëtarësimin e Shqipërisë dhe Kroacisë në NATO. Obama theksoi se tashmë pjesë e strukturave të Aleancës është Shqipëria dhe Kroacia, vende këto që kanë bërë progres dhe një punë të mirë në reforma.

“Jam krenar për hapat kurajoz dhe reformat që ka ndërmarrë Shqipëria. Respektoj vendet e Ballkanit, jam i lidhur dhe koherent me impaktet e krizës ekonomike në Ballkan, por ky është problem i shumë vendeve jo vetëm në këtë rajon.Vendet e Ballkanit do të vazhdojnë të mbeten në vëmendjen tonë” tha Obama

Konferenca e presidentit amerikan u fokusua më shumë në situatën në Afganistan,ku sipas Obames, 28 vendet anëtare kanë rënë dakord për shtimin e trupave në këtë vend.
“Prioritet për SHBA dhe Aleancën, është zhdukja e terrorizmit dhe Al Kaedas dhe për këtë arsye kemi nevojë për më shumë mbështetje në Afganistan” tha presidenti amerikan.
Pak pas konferencës së Obamës, Shtëpia e Bardhë në një deklaratë konfirmoi se NATO ka arritur marrëveshjen për të dërguar 5000 trupa shtesë, që do të nevojiten për të stërvitur forcat afgane dhe për ruajtjen e sigurisë gjatë zgjedhjeve.

Gjatë konferencës për shtyp, Obama përshëndeti dhe vlerësoi zgjedhjen e Anders Rasmusen, si sekretar i ri i NATO-s, si njeri të shkëlqyer dhe i duhuri në krye të aleancës me të cilin do të përballohen sfidat e reja të Aleancës.

Oketa për “News24”: Duhet vullneti i të gjithëve për zgjedhje të ndershme

Ora 17:00- Ministri i mbrojtjes Gazmend Oketa garanton se anëtarësimi në NATO do të thellojë reformat në vend dhe jo vetëm në fushën ushtarake.
“Reforma ushtarake është asistuar dhe mbështetur nga vende anëtare të NATO-s, luftaraket shqiptare e kanë testuar veten e tyre në misione shumë të vështira dhe i kanë dhënë dinjitet” theksoi Oketa për televizionin “News24”.

Oketa në emër të maxhorancës garanton gjithashtu organizimin e zgjedhjeve të lira dhe të ndershme.
“Testi i radhës do të jenë zgjedhjet dhe unë jam optimist se do ti kalojmë me sukses dhe do ti japim fund debatit. Qeveria ka vullnet të realizohen zgjedhje të lira, por janë disa aktore, dy tre parti të mëdha që garojnë, ndaj dhe duhet vullneti i të gjithëve që zgjedhjet të dalin të ndershme” deklaroi ministri Oketa.

Turqia tërhiqet, Rasmusen do të jetë Sekretari i ri i NATO-s

Ora 16:50 - Anders Rasmusen, kryeministri aktual i Danimarkës, është zgjedhur sekretar i ri NATO-s, si pasardhësi i Jap de Hop Shefer. Rasmusen u zgjodh në krye të Aleancës duke i dhënë fund paqartësive për Sekretatin e ri të Përgjithshëm dhe do të marrë detyrën e re më 31 korrik 2009.
Konfirmimi për zgjedhjen e Rasmusen u dha nga sekretari aktual i NATO-s Jap de Hop Shefer, gjatë një konference të përbashëet me presidentin francez Nikolas Sarkozy e kancelaren gjermane Angela Merkel.
Pak pas zgjedhjes së Rasmusen, kryeministri turk Erdogan deklaroi se kishte vendosur të mbështesë zgjedhjen e tij pasi kishte biseduar me presidentin Obama, ku ky i fundit i ka dhënë garanci për kandidaturen e Rasmusen.

Zgjedhja e tij në krye të Aleancës u vu në dyshim deri në momentet e fundit për shkak të kundërshtimeve të forta të Turqisë. Ky vend kishte shprehur pakënaqësi për mënyrën e trajtimit nga Danimarka, të pikturave të publikuara të profetit Muhamed. Gjithashtu për kundërshtimin e Turqisë kishte reaguar edhe Drejtori i Zgjerimit të BE-së, Olli Rehn i cili deklaroi se vendimi i Turqisë nuk favorizon situatën e këtij vendi, për tu anëtarësuar në Bashkimin Europian.

(Erjola Nurçelli./Antoneta Rusta/BalkanWeb)

Fjale kyce: , ,

5 Comments

  1. teli
    9 April, 2009, 6:19

    Kapitulli i ri per vednin tone ka filluar shume me pare, por zotesia e politikaneve ishte dhe eshte sa i pershpejtojme keto procese qe kane te bejne me integrimin tone ne NATO dhe BE. Dhe konkretisht e mendoja hyrjen ne NATO vite ,e pare, po keshtu dhe ne BE, por shume ngjarje te pakendshme dhe tragjedi qe ka perjetuar vendi yne mendoj se e ka shtyre kete afat, ndersa ky pranim me teper ishte se na futen te tjeret se sa e merituam ate, por megjithate shpresoj se do te beje me te pergjegjshem politiken tone ne masat reformuese qe ben. Shihet nje zhgenjim i madh ne popull, atmosfera festive me rastin e hyrjes ne NATO me teper ishte nje zhurme shqetesuese se sa feste, shpenzime te pa vend per nje ekonomi te varfer qe kemi deri me sot. Pashe vetem ngerdheshje tek qeveritaret dhe ekstaze ne shume pjesemarres ne feste, jo feste te qyteteruar.Pra, ky kapitull nuk eshte hapur sot por shume kohe me pare, ajo u kurorrezua tani, qe duhet te ishte kurorezuar me pare. Do zoti, u vijne mend qe te mos vonojme hyrjen ne BE, per te cilen shqiptaret kane kohe qe e deshirojne, sepse e meritojne se jane po aq qytetare sa dhe europianet e tjere. Shpresojme.

  2. teli
    9 April, 2009, 15:40

    Pergjegjesia e hyrjes ne NATO eshte, ajo qe duhet te kishe dhene doreheqje qe ne kohen kur ndodhi tragjedia e Gerdecit. Ka dhe te tjere qe dine te qeverisin edhe me mire.

  3. ina
    12 April, 2009, 13:54

    Mjaft me mburrje. Nato nuk i sjell asgje Shqiperise; Njerezit nuk jane budallenj.
    Ju mendoni vetem per veten tuaj. Cfare keni bere per pensionet e njerezve apo per ata q jane pa pune, apo per femijet qe shkojen ne shkolle, qe i kane prindet pa pune?

    Nato-ja do te jape ndonje gje, me veprimet e saj luftarake?

  4. lushi
    19 April, 2009, 0:23

    bravo ina ka njerez qe se kane kuptuar se nato nuk ka asnje gjo per popullin fukara qe luftojn per buken e gojes..

  5. Turki 1
    4 June, 2009, 3:45

    Se ushtari Shqipetare e ka vendin ne NATo e kane ditur vendet antare qe nga koha e Skender-beut, por faji i politkaneve tone na ka pamundsuar qe te jemi aty me heret. Andaj hapini syt beni kater, edhe per BE-ne, e edhe per organizmat tjere nderkombetare, se jemi te afte, kemi kapacitete vetemse duhet dikush te na drejtoj ne ate drejtim, e pasiqe tani Ju jeni ata ateher kryeni me nder e dinjitet ket pune, e jepuni te rinjeve mundesin e nje jete me te mire, begatshme, lire, qete, arsimuar, dhe qe te tjeret te shohin e thone sa mir me qene SHQIPTARE!!!!!!!!!!!!!

Shkruaj nje koment per kete artikull